Viti i ri nis me zakonin e vjetër për Milanin. Kuqezinjtë fillojnë përsëri aty ku e lanë, te fitoret e njëpasnjëshme. Ekipi i Piolit ka mposhtur Beneventon në transfertë me shifrat 0-2, duke ruajtur vendin e parë në renditjen e Serisë A, ku udhëheqin ende të pamposhtur.
Kesie zhbllokoi shifrat që në mintën e 15, teksa u tregua mjaft i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Por buzëqeshjen e ngrin disi Sandro Tonali, i cili “braktis“ skuadrën gjatë pjesës së parë, duke dalë me karton të kuq për një ndërhyrje të gabuar.
Milanit i duhet të luajë me një lojtar më pak për 62 minutat në vazhdim, mirëpo Benevento nuk arrin dot ta shfrytëzojë këtë avantazh. Në pjesën e dytë është Leao ai që tund rrjetën. Një kundërsulm i shpejtë i kuqezinjve bën që portieri kundërshtar të gabojë në daljen e tij, duke i dhënë kështu mundësinë sulmuesit të “djajve” që të shënojë golin e sigurisë për skuadrën e tij. Milani triumfon kështu ndaj ish-futbollistit të vetë, Filipo Inzagit, që drejtoi rivalët nga pankina përgjatë 90 minutave të ndeshjes./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
?? GOOOAL RAFAEL LEAO!!! https://t.co/YQ8Jd5T8cC
— Milan Posts (@MilanPosts) January 3, 2021