Myrto Uzuni i ka ngjitur hapat një e nga një në botën e futbollit. E nisi fillimisht nga kategoritë më të ulëta në shqipëri ndërsa katapultimin në Europë do e bënte nëpërmjet Laçit. Me kurbinasit do të binte në sy të Lokomotivës së Zagrebit, pjesë e së cilës është edhe tani. Megjithatë duke parë paraqitjet e tij në fushë dhe statistikat që flasin për të nuk do të jetë e largët koha kur ta shohim të mbajë veshur fanellën e ndonjë ekipi nga ligat më të forta në Europë, madje kambanat e largimin kanë nisur të bien që tani.
Sulmuesi shqiptar është rikthyer të kalojë këto momente të vështira të izolimit pranë familjes së tij në Berat, ku edhe po përpiqet të ruajë freskinë fizike për momentin kur kampionati të rinisë sërish. Ndërkaq Uzuni ka zgjedhur natyrën për të kryer edhe disa ushtrime me topin, teksa në ndihmë këtu i vjen edhe babai i tij. Ky i fundit ka shpërdarë edhe një video duke xhongluar topin me lojtarin kuqezi, ndërsa e shoqëron me fjalët:“S’ke ku vete, te trajneri i parë do vish“. Artan Uzuni ka dhënë një mbështetje mjaft të fortë e të palodhur që sot Myrto të jetë në nivelet ku është, duke e quajtur kështu në një farë mënyre veten edhe si trajneri i parë i djalit të tij./Halit Delibashi-Sport Ekspres/