Armando Broja po aktivizohet thuajse në çdo ndeshje te Chelsea, duke marrë 15 minutat e fundit të takimit. Sigurisht që mungesa e golave të shënuara ka lënë gjurmë te ky futbollist dhe kjo u pa qartë me Shqipërinë, nuk është po aq fenomal sa më herët për nuhatjen me portën kundërshtare. Por edhe në ato pak minuta që luan te Chelsea, shihet qartë një Armando Broja shumë më ndryshe sesa nga koha e Southampton apo e Kombëtares. Një moment që e dëshmon fare mirë nga ndeshja me Milanin është ajo e minutës së 85.
Broja futet bukur në qendër dhe stadiumi oshëtin duke parë hapësirën, teksa pritej një tentativë dhe avancimi më tej drejt portës. Megjithatë sulmuesi shqiptar nuk dëshiron të rrezikojë as në një ndeshje të mbyllur me rezultatin 3-0, duke ngritur menjëherë kokën lart për të parë shokun e ekipit dhe për ta pasuar topin. Nëse do të ishte ende te Southampton apo te Shqipëria, ky aksion do të kishte një fund tjetër, edhe nëse rezultati do të ishte 0-0. /Sport Ekspres/