Ajo që dukej më pak e mundura, ndodhi. Shqipëria humb edhe krenarinë e vetme në Europë. Pas atij barazimi 0-0 me një lojtar më pak për rreth 75 minuta në Moldavi, kualifikimi në “Elbasan Arena” dukej më tepër si një formalitet për Laçin. Kurbinasit bëjnë detyrën në pjesën e parë kundër Petrokubit, kur Mazrekaj i jep avantazhin me një supergol në minutën e 38.
Por e dyta nuk nisi ashtu si u mbyll për ekipin e Duros. Moldavët hyjnë me një tjetër ritëm dhe në minutën e 55 gjejnë rrugën e rrjetës pas një goditjeje me kokë. Duket se goli ishte ilaçi i duhur për Petrokubin, që më pas në vetëm 1 minutë Ambros arrin të shënojë dy gola. Laçi hidhet i gjithi në sulm me shpresën se do të ndryshonte diçka, por pa sukses. Moldavët nuk tolerojnë as në minutat shtesë, kur me anë të një kundërsulmi Cojocaru fikson shifrat në 1-4. Laçi i thotë kështu lamtumirë Europës, ndërsa Petrokubi shkruan historinë dhe shkon për të parën herë në turin e tretë të një kompeticioni europian./Halit Delibashi-Sport Ekspres/