Shkëlzen Gashi duket se ka humbur nga radarët, pasi fakti që luan në Amerikë nuk e ndihmon aspak. Sulmuesi ka gjetur vazhdimësinë pas rikthimit nga dëmtimit dhe po luan si titullar për ekipin e tij të Kolorado Rapids. 29-vjeçari ishte nga minuta e parë në humbjen e skuadrës së tij 1-2 kundër Siatëll Saundërs, në shtëpi.
Ekipi i tij nuk arriti të merrte pikë, por shqiptari u votua si njeriu i ndeshjes nga tifozët. Ai u mundua të bënte mirë, por në fund humbi dhe një rast flagrant që nuk duhej. Gashi gjuajti bukur, por reagimi i portierit kundërshtar ishte fantastik duke i hequr mundësinë e shënimit.
“Ishte fati i keq. Ne duhej të bënim më tepër si ekip. Më vjen keq që nuk shënova, por dhe portieri kundërshtar u paraqit mjaft mirë. E përgëzoj për pritjen e tij. Duhet të kthehemi në ndeshjet e tjera”, – tha Gashi ndër të tjera. Ai nuk grumbullohet më me ekipin e Shqipërisë.