Redon Xhixha ka luajtur sot 90 minuta të plota me fanellën e Karabakut. Këta të fundit kanë barazuar 1-1 kundër Neftçi Bakusë, në një ndeshje krejtësisht ndryshe për lojtarët e të dyja skuadrave. Kushtet atmosferike nuk ishin aspak të favorshme, teksa një mjegull e dendur ia ka vështirësuar së tepërmi punën futbollistëve.
Xhixha kthehet për një moment në “fantazmë“ për kundërshtarët, kur në minutën e 15 lë pas disa prej tyre dhe shërben në zonë për shokun e tij të skuadrës. Por aksioni fatkeqësisht nuk finalizohet me gol. Megjithëse mjegulla e bënte të vështirë shikimin, nuk ia zbehu shënjestrën sulmuesit shqiptar, i cili kërcënoi portën e Neftçi Bakusë në minutën e 43-të, por portieri i kryeqytetasve u tregua i vëmendshëm dhe e devijoi topin në një goditje nga këndi. Redon Xhixha po jep prej disa ndeshjesh shkëndija goli te Karabaku, çka tregon se nuk do të jetë e largët dita kur do të festojë golin e parë me skuadrën azere./Halit Delibashi-Sport Ekspres/