Ekipi i Malagas ka barazuar pa gola ndaj Gijonit në ndeshjen e radhës për Ligën e dytë spanjolle, ku ende nuk e ka provuar shijen e fitores. Titullarë në këtë takim ishin edhe dy lojtarët shqiptarë, Sadiku dhe Bare, që i shkuan shumë pranë golit.
Sadiku humbi një rast shumë të pastër për të shënuar në minutën e 57, ku pas një harkimi të ulët në shtyllën e dytë ka bërë një gjuajtje për t’u harruar me kokë, duke e dërguar topin shumë larg portës kundërshtare. Sulmuesi kuqezi nuk mund të bënte më tepër në këtë ndeshje, pasi një minutë më vonë i duhej të linte fushën e lojës.
Ndërkohë, rastet nuk munguan edhe në minutat e fundit të takimit. Mesfushori Bare ka goditur topin brenda zonës kundërshtare, por pa arritur të shënjestrojë si duhet portën e Gijonit, pasi topi shkoi shumë pranë traut të portës.
Malaga vazhdon kështu të jetë në një formë jo të mirë, pasi kanë kaluar 7 ndeshje pa marrë 3 pikët nga një përballje në kampionat. /Sport Ekspres/