VIDEO/ Presingu me 7 lojtarë në gjysmëfushën e Anglisë, taktika që rezultoi vra.sëse për Shqipërinë

Shqipëria do të humbiste me shifrat 5-0 ndaj Anglisë, në një mbrëmje që u kthye nga ëndrre në makthi në Wembley. Kuqezinjtë kërkonin që të dëshmonin dhe konfirmonin vlerat e tyre, por zgjodhën mënyrën më të gabuar për ta bërë.

E thënë aq shumë herë edhe nga Alban Bushi, Shqipëria bëhet shumë e vogël, kur hiqet si e madhe në fushën e blertë. Pra vlera jonë shtohet dhe vihet në pah vetëm nëse ka frymë grupi, shpirt gare, sakrifice dhe lojtarë që mbrojnë me 11 dhe dalin para me forca të shumta.

Por çfarë ndodhi në Wembley? Shumë kritika kishte për Rejën dhe mënyrën sesi humbëm në Shqipëri ndaj Anglisë me shifrat 0-2. Për shumë analistë kishin ikur vitet kur mund të humbisje me shifra të thella dhe në një ndeshje ku humbja është e sigurt në të gjitha variantet, duhet të guxosh më tepër.

Këtë e bëri edhe trajneri italian në Wembley, madje ishte në kufijtë e çmendurisë. Shqipëria dukej se e kishte harruar se kë kishte përballë dhe herë pas here presingu shkonte me 7 lojtarë në gjysmëfushën e Anglisë. Pra mjaftonte vetëm një pasim i saktë i rivalit, siç ndodhte zakonisht, që kuqezinjtë të kapeshin zbuluar në prapavijë.

Kjo ndodhi dhe video më poshtë e tregon më së miri sesa rrezikoi Shqipëria me mënyrën sesi u paraqit në fushën e blertë. Madje taktika e Rejës nuk ndryshoi edhe pas largimit të Kumbullës dhe Bares nga fusha e blertë. Në atë moment, ishte vetëm Elseid Hysaj dhe Ardian Ismajli që mund t’i afroheshin niveleve të kundërshtarëve, duke parë ekipet ku luajnë.

Për të gjithë lojtarët e tjerë që ishin në fushën e blertë sa i përket atij momenti, nuk do ta kenë më fatin për një kohë të gjatë që të përballen me kundërshtarë të atij niveli. T’i shkosh përballë kundërshtarit të këtij kalibri dhe t’i besosh markimet një për një, ku diferenca ishte e jashtëzakonshme në cilësi, fizik, eksperiencë dhe emra të ekipeve nga vinin, ishte më shumë sesa ve.tvrasje. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *