Tifozët e Tiranës e kanë gjetur gjithnjë mënyrën për të qenë pranë ekipit të tyre edhe kur rregullat nuk i lejojnë të jenë në shkallët e stadiumit. E kurrsesi nuk kishin si të mungonin në një ndeshje kaq vendimtare si ajo me Kukësin, që mund të ndezë para kohe festën për titullin kampion. Një numër i madh tifozësh bardheblu janë grumbulluar në fushën stërvitore që gjendet pranë stadiumit “Selman Stërmasi”.
Pavarësisht përpjekjes nga ana e forcave të rendit që një gjë e tillë të mos ndodhte, sërish ata ishin aty. Madje duke buçitur si të ishin në shkallët e stadiumit, duke kënduar koret e tyre për të mbështetur ekipin e zemrës. Megjithatë kjo ka vënë sërish në lëvizje policinë, të cilët shkojnë drejt grumbullit të tifozëve bardheblu për t’i larguar prej aty./Halit Delibashi-Sport Ekspres/