Interi është dorëzuar në Xhenoa, ku është mposhtur nga Sampdoria me shifrat 2-1. Zikaltrit kishin shansin e artë të gjenin avantazhin të parët, kur arbitri akordon një 11 metërsh në minutën e 11 të takimit. Por nga pika e bardhë e penalltisë Aleksis Sançez nuk tregohet i saktë, duke i hequr skuadrës së tij një gol që në përfundim të ndeshjes do i kushtonte shumë.
Ndërkohë, po nga i njëjti vend ku gaboi sulmuesi kilian, tregohet i saktë Antonio Kandreva. Ishte pikërisht një ish-zikaltër ai që hap shiftrat e takimit, ndërsa më pas Keita Balde tund rrjetën për herë të dytë. Interi reagon në pjesën e dytë, kur De Vraj tund rrjetën dhe ngushton rezultatin, por pa mundur të ndryshojë fatin e takimit. Skuadra e Antonio Kontes humbi kështu rastin për të marrë përkohësisht kreun e renditjes, ndërsa tani i duhet të presë deri në mbrëmje për të mësuar nëse Milani do të shkëputet me 4 pikë larg tyre./Halit Delibashi-Sport Ekspres/
https://twitter.com/ElForastero1982/status/1346827243272728578