VIDEO/ Pamjet nga brenda “Arenës Kombëtare”, Duka: Asnjë tifoz nuk laget nga shiu

Të gjithë janë kurioz për të parë ambientet e brendshme të “Arenës Kombëtare”. Stadiumi i ri në kryeqytet do të jetë gati për të mirëpritur ndeshjet e tetorit. “Top News” ka zhvilluar një intervistë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

Gjithashtu janë xhiruar edhe pjesët e brendshme të stadiumit. Duka ka folur edhe për të veçantat e këtij impianti të ri, ku kryesorja është fakti që tifozët nuk mund të preken nga shiu dhe kushtet e këqija atmosferike, pasi çdo sektor do të jetë i mbuluar.

“Do të jetë një stadium komplet ndryshe dhe me komoditetin maksimal. Kemi nisur një proces për të komercializuar emrin e stadiumit. Një eksperiencë që vjen edhe nga bota. Nëse do të isha unë nga një fushë tjetër, pa pasur asnjë përgjegjësi me stadiumin, do të thoja të vendosnim emrin e qytetit apo një personaliteti.

Ky është një ndërtim i madh që mbahet nga Federata. Nëse vjen dikush tjetër për ta mirëmbajtur, një kompani, atëherë do të bënim një anketë për ta pyetur se çfarë emri do t’i vendosim, do të ishte e mirë.

Kur flasim për trajnerin, nuk është puna që Reja të më bind mua si trajner, pasi ka eksperiencë të madhe. Në futboll duhet edhe pak fat, që e ndihmoi ndaj Islandës. Përse mos të mendojmë që të kualifikohemi dhe pastaj të vendosim për Rejën? Është një trajner i mirë për të rinovuar ekipin. Çmimet e biletave do jenë afërsisht të njëjta, siç kanë qenë të Elbasan apo në Shkodër.

Ka pasur shumë komente për kullën dhe do të ketë. Por megjithëse jemi një shtet i vogël, kemi një stadium kaq të bukur. Kryesorja për ne janë tifozët, ato janë komode. Një e veçantë e madhe është që shiu nuk mund të lag tifozët, as ata që janë në radhën e parë. Pasi ka shumë stadium që janë të mbuluara deri në gjysmë. Kemi grup të vështirë. Ajo që mund të penalizoi ishte humbja me Turqinë në Shkodër. Është shumë e vështirë, sinqerisht, por do të provojmë”, ka thënë Duka. /Sport Ekspres/