VIDEO/ Një mbrojtës golashënues, njihuni me talentin vlonjat që krahasohet me legjendat e futbollit në Itali

Nga Endri Cinari

Futbollistët me origjinë nga Shqipëria janë tashmë prej vitesh të shpërndarë në mbarë Europën. Në çdo cep të kontinetit do gjesh shqiptarë që luajnë sportin më popullor në Botë dhe që kanë sukses apo priten të jenë “yje” të mëdhenj në të ardhmen. Një nga vendet ku shqiptarët tashmë njihen shumë mirë është edhe Italia, me shumë kuqezinj që luajnë në Serie A apo edhe Serie B. Por një emër interesant siç e tregojnë edhe mediat italiane ka dalë tashmë në skenë.

Quhet Aleks Qanaj dhe është i ditëlindjes 11.05.2006. Pra një djalosh vetëm 16-vjeçar që duket se përpara do ketë një të ardhme të madhe në futboll. Është me origjinë nga qyteti i Vlorës. Qytet që në vite ka nxjerrë disa nga lojtarët më legjendarë të kombëtares shqiptare. E siç thohet në këto raste “gjaku nuk bëhet ujë” apo më mirë “klasi nuk bëhet ujë”.

E për tu kthyer sërish tek vlonjati, ai është lindur dhe rritur në Itali, por duke mos e humbur kurrë ndjenjën e patriotizmit dhe krenarisë që është shqiptar. Sot, ai luan me skuadrën italiane të Casales, me të cilët ka arritur shumë suksese në turnet e ndryshëm në vendin apenin, duke “vjedhur” vëmendjen me performancat e tij.

Qanaj në skuadrën e tij aktivizohet shpesh si qendërmbrojtës, por në rolin natyral është një mesfushor organizativ. Duke qëndruar përpara mbrojtjes me detyrën për të krijuar dhe nxjerrë pasimet deçizive për shokët e skuadrës. Shpesh gazetat italiane e kanë cilësuar si një Andrea Pirlo. Me këmbë shumë të edukuara dhe të lindura për futboll dhe klas.

Por djaloshi është i aftë të mbulojë gjithë rolet në mesfushë dhe po ashtu atë të qendërmbrojtësit siç e thamë edhe më sipër. Në krahasim me organizimin e lojës nga mbrojtja si Leonardo Bonucci i Juventusit. Kjo për shkak të vizionit që Qanaj ka dhe stilit të tij të ngjashëm të futbollit me qendërmbrojtësin dhe kapitenin e kombëtares italiane të futbollit.

E për ta kompletuar si një futbollist me shumë bagazh është ajo “sallaksja”. Qanaj luan me këmbën e majtë, si disa nga legjendat e këtij sporti në gjithë historinë e tij. Në videon e postuar nga gazeta jonë do shikoni edhe ekzekutimin e tij fantastik nga goditja e dënimit, ku për fanatikët e futbollit patjetër që të sjell në mendje gjuajtjet e një legjende siç ishte dikur në futbollin italian, Sinisa Mihajloviç.

Aleksi e ka mbyllur sezonin me një kuotë të mrekulluesheme golash, ku ka shënuar 9 të tillë gjatë edicionit. 6 me skuadrën ku luan, 1 me ekipin u-17 dhe 2 të tjerë me skuadrën u-19 në rastet kur është grumbulluar. Një kuotë “e frikshme” golash për një mbrojtës që tregon shumë për cilësitë e tija.  Gola që kanë ardhur nga momente të ndryshme të lojës, siç janë goditjet me kokë, gjuajtja nga penalltia apo edhe 6 rrjetat nga goditjet e dënimit që janë një specialitet i Qanajt.

Dhe me patjetër me gjithë këtë prespektivë për të pasur një karrierë brilante, Qanaj është shndërruar në të preferuarin e menaxherëve. Siç mëson nga gazeta nëpërmjet burimeve shumë të afërta me vetë lojtarin, ai është pjesë e menaxhimit nga ana e Mateo Roggi. Roggi i cili është përfaqësues edhe i emrave të mëdhenj të futbollit italian si: Luciano Spalletti apo Mauro German Camoranesi.

Gjithashtu djaloshi do ketë edhe disa prova të rëndësishme me disa skuadra të njohuara italiane siç janë Pro Vercelli dhe Perugia. Skuadra legjendare në futbollin italian dhe që duan të bëjnë për vete djaloshin nga Vlora, tek i cili shohin një investim shumë të rëndësishëm për të ardhmen.

Talenti i Qanajt fatmirësisht nuk i ka shpëtuar drejtuesve dhe ekspertëve të federatës shqiptare të futbollit. Në janar ai ishte i grumbulluar në Durrës me kombëtaren u-17, të drejtuar nga Ervin Bulku. Ku dalloi menjëherë me cilësitë e tij dhe bëri kurioz edhe shumë kënd në Shqipëri që e shikonte për herë të parë djaloshin tek luante futboll. Më përpara gjithshtu ka qenë pjesë e kombëtares edhe në një grumbullim në Padova, në qershorin e vitit 2021.

E dihet që rruga për të pasur sukses në futboll është ende e gjatë dhe e vështirë për Aleksin. Por cilësitë nuk mungojnë e patjetër duhet të jetë puna ajo që do tregojë në të ardhmen nëse 16-vjeçari do jetë një emër i madh i futbollit, por edhe i kombëtares sonë. E normalisht të vijojë edhe traditën e shkëlqyer të futbollistëve nga Vlora që kanë bërë epokë në kombëtaren tonë. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online