Kastrioti dhe Erzeni kanë zhvilluar një ndeshje mjaft të bukur për t’u ndjekur. Një përballje ku nuk munguan rastet e shumta, por as golat, teksa u shënuan katër të tillë. Asani nisi serinë e golave që në minutën e 4-t të takimit, kur e dërgoi topin në rrjetë dhe nisi festën e tifozëve shijakas të pranishëm në stadium. Më pas, në minutëne 33-të, ishte Kapllani, ai i cili me një devijim të tijin në zonë nxjerr tërësisht jashtë loje portierin Sali dhe e dyfishon rezultatin.
Pjesa e parë përfundon me epërsinë e Erzenit, por e dyta flet e gjitha për Kastriotin. Stojanoviç realizon një gol të mrekullueshën nga goditja e dënimit në minutën e 58 të takimit, por i kursen festimet e tepërta, teksa kërkon rinisjen e lojës sa më shpejtë. Vrulli i krutanëve është i lartë dhe vetëm 5 minuta më vonë vjen goli i dytë. Ishte një gabim amatoresk nga ana e mbrojtësit të skuadrës shijakase, i cili në përpjekje për të pasuar topin me kokë në drejtim të portierit, e kalon atë sipër tij. Greca përfiton nga e gjithë kjo situatë dhe e shtyn topin në portën e zbrazët. Kjo gafë në mbrojtje i heq shijakasve tre pikët nga duart, të cilat do e dërgonin në vendin e dytë në renditje, sipër Partizanit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/