Derbi i kryqytetit ka dhuruar emocione të forta për të gjithë tifozët. Përballja e sotme mes Partizanit dhe Tiranës prodhoi gjithçka. Derbi pati ritëm, gola, penallti dhe karton të kuq. Në minutën e 19 Patrik rrëzohet në zonën e Partizanit dhe Juxhin Xhaja kërkon konsultimin e VAR-it. Arbitri vonon për të dhënë vendimin përfundimtar, por pas rishikimit të pamjeve në monitor drejton dorën nga pika e bardhë e 11 metrave. Pranë topit shkon Xhixha, por humb duelin me Rexhepin.
Si për të mos mjaftuar penalltia e humbur, Tiranës i duhet të luajë me 10 lojtarë që nga minuta e 37. Bruno Lulaj ndal në mënyrë të parregullt Skukën dhe si lojtari i fundit ndëshkohet me karton të kuq. E kur të gjithë mendonin se tashmë rruga drejt fitores për Partizanin do të ishte e lehtë, bardheblutë bëjnë atë që më pak pritej. Rexhepi bën një gafë fatale në minutën e 2-të të shtesës së pjesës së parë, teksa lë portën në tentativë për larguar topin. Por nëse duelin e parë me Xhixhën e fitoi, këtë të dytin e humbet. Redon Xhixha kalon me sukses portierin kundërshtar dhe më pas e ndal topin në rrjetë.
Pjesa e dytë nis me Partizanin në sulm. Të kuqtë kërkojnë golin dhe rrezikojnë disa herë portën e Bekajt, por në momentin e tyre më të mirë vjen edhe ndëshkimi. Xhixha niset rrufeshëm në një kundërsulm dhe me një sprint të jashtëzakonshëm nga mesfusha shkon një për një me portierin Rexhepin. Në një pozicion të tillë, goli nuk ishte aspak i vështirë për të. Festa ishte e gjitha e për bardheblutë. Në fund të ndeshjes, Matondo lë Partizanin me 10 lojtarë, por fati i këtij derbi ishte vulosur deri në atë moment. Kryeqyteti vishet bardheblu, tre pikët i shkojnë Tiranës./Halit Delibashi-Sport Ekspres/