Vedat Muriqi ka kaluar një mbrëmje që do ta mbajë mend gjatë. Sulmuesi shqiptar ishte padyshim protagonisti kryesor i përballjes së sotme mes Elçesë dhe Majorkës. Prozhektorët kthehen menjëherë nga “pirati”, pasi në minutën e 12 ka të drejtën e ekzekutimit të një penalltie. Por kur të gjithë prisnin festën, ndodh ajo që më pak e priste. Portieri i Elçesë kupton krahun dhe pret 11 metërshin.
Vendasit kalojnë në avantazh 3 minuta më vonë dhe pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0. Por nga ferri i 45 minutave të para, Muriqi gjen përkohësisht parajsën në pjesën e dytë. Në minutën e 71-të gjendet sërish përballë portierit Badia nga pika e bardhë e 11 metërshit. Por këtë herë duelin e fiton shqiptari, që i dërgon shifrat në 1-1.
Por momenti i gëzueshëm nuk zgjat gjatë. Në minutën e 85, një gjest jo sportiv i kryer në zonë e nxjerr nga loja përpara kohe. Arbitri shkon të shohë pamjet në monitorin e VAR-it dhe pas kësaj e ka të qartë vendimin që duhet të marrë. Kartoni i kuq i nxjerr për Muriqin dhe ky i fundit e pranon pa protesta, duke nxituar të dalë jashtë për të mos i marrë më shumë kohë Majorkës. Rezultati përfundimtar mbeti ai 1-1 dhe të dy ekipet dalin me nga një pikë nga stadiumi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/