VIDEO/ Murinjo befasohet në konferencën për shtyp, gazetari maqedonas vjen me një kërkesë të veçantë

Hoze Murinjo do të zbarkojë ditën e nesërme në Shkup, ku do të ndeshet me Shkëndijën e Tetovës në raundin e tretë kualifikues të Europa League. Trajneri portagez ka mbajtur konferencën e zakonshme për shtyp një ditë përpara takimit, megjithëse këtë herë gjithçka është zhvilluar online. Një kërkesë e veçantë i është adresuar atij që ndryshe njihet si “special one”, teksa gazetari maqedonas, Igor Aleksandroviç, dëshironte një foto me Murinjon, pasi kjo ka qenë edhe një nga dëshirat më të mëdha që babai i tij i ndjerë kishte gjatë jetës së tij.

“Përshëndetje, kjo është një mundësi unike për mua që t’u bëj disa pyetje dhe t’u kërkoj një nder. Më duhet t’ju pyes diçka për hir të babait tim. Së pari përshëndetje nga ai, por tashmë është në parajsë. Më ka thënë se nëse do të kem ndonjëherë mundësinë t’ju takoj, t’ju kërkoj të bëjmë një fotografi së bashku. Babai më ka thënë se ju mund të drejtoni çdo skuadër dhe kishte një respekt të madh për ju. Nëse më lejoni të bëjmë një fotografi, do e vendos në kornizë dhe do e lë në vendin ku ai prehet. Nëse ndeshja shkon mirë për ju dhe ekipin tuaj, a më lejoni ta bëjmë këtë?”, ishte kërkesa e gazetarit maqedonas.

Ndërkohë menjëherë ka ardhur edhe përgjigja e Murinjos, që nuk ka hezituar t’ja plotësojë dëshirën. Madje për të rezultati nuk ka rëndësi. Si në humbje apo fitore, portugezi ia bëri të qartë se mund të përmbushte dëshirën e madhe të babait dhe të shkrepnin një foto së bashku.

“Faleminderit shumë. Fotoja nuk ka të bëjë fare me rezultatin. Mund të na takosh përpara ndeshjes ose në hotel, ku do të ishte më e lehtë. Nëse dëshiron pas ndeshjes, atëherë e bëjmë pas saj dhe nuk ka të bëjë me rezultatin. Është kënaqësia ime të bëj fotografinë me ju”, ka thënë Murinjo./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *