Armando Broja është sulmuesi që Shqipëria nuk e ka një të dytë në gjirin e saj aktualisht. Për këtë jemi të bindur, por diskutimi që ngrihet është nëse e kemi pasur një të ngjashëm edhe në histori?
Kjo është pikëpyetja, por koha flet në favor të 20-vjeçarit. Me golin e shënuar ndaj Brighton, Broja ka shkuar në kuotën e 3 realizime në “Premier League”. Mënyra sesi arriti të driblonte mbrojtësin dhe goditja drejt portës, tregojnë gjakftohtësinë e madhe të këtij djaloshi.
Por rasti që nuk ka marrë shumë vëmendje për shkakun se topi nuk përfundoi në rrjetë, ishte mundësia e krijuar para pak golit. Armando Broja huton dhe lë mbrapa tre mbrojtësit e Brighton që ishin afër njëri-tjetrit për ta neutralizuar sulmuesin e Southampton. Një lëvizje e papritur që i nxjerr huq në mbulim, por fatkeqësisht goditja nuk ishte më e mira e mundshme. /Sport Ekspres/