Nga Klaudio Ndreca
Kosova e ka humbur përballjen ndaj Shqipërisë në shifrat 1-2, me ndeshjen që u zhvillua në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë kishin më shumë “oreks” për të fituar vëllazëroren dhe ia arritën qëllimit.
Ndërkohë një detaj mjaft i bukur u kap nga ana e trajnerit shqiptar, Arjan Peço. Ky i fundit u shpreh për “Supersport” se brenda Kosovës ka përçarje dhe se lojtarët bënin gjeste të çuditshme në shumë raste. Kur shoku i tyre bënte një veprim të gabuar nuk e përkrahnin dhe motivonin, por shprehnin gjeste të ndryshme mospëlqimi që është tërësisht një sjellje që duhet evituar.
Në mediat shqiptare të Kosovës është publikuar edhe një video që vetëm sa fakton fjalët e Peços. Edon Zhegrova dhe Florent Hadërgjonaj kanë raporte të acaruara prej kohësh dhe kjo u vu re edhe në miqësoren me Shqipërinë. Në një moment Hadërgjonaj kërkon të futet në krahë dhe të shërbehet nga Zhegrova pasi ka mundësinë për të qenë i rrezikshëm, lojtari i Bazelit bënë gjithçka mundet vetëm që topi të mos mbërrijë te këmbët e Hadërgjonajt. Më pas reagimi i këtij të fundit nuk lë shumë vend për diskutime… /Sport Ekspres/