Në një garë, sidoqoftë ajo, dy pozicione janë ato të cilat mbahen mend, ose të paktën për të cilat pyetet: i pari dhe i fundit! Sigurisht, po flasim për skajet, pasi kurioziteti njerëzor shkon te kufijtë dhe mbetet aty, për të mos kaluar më tej. Dhe, nëse në Premier League po shohim superdominimin e Mançester Sitit të Guardiolës, ka edhe një ekip që qëndron në bishtin e renditjes dhe që ka një objektiv: të mbijetojë nga zhytja në Championship, aty nga ku edhe erdhi. Po flasim për Kristal Palasin ose në shqip “Pallatin e Kristaltë”…
Vetëm 1 fitore, 1 barazim dhe 4 gola të shënuar në 11 ndeshje. Një kampionat që ka dhuruar shumë zhgënjime, edhe pse në tribuna nuk duket kështu. “Selhurst Park” është i tejmbushur këtë sezon, duke mos ia mohuar kurrë mbështetjen “shqiponjave”. Edhe të dielën, më shumë se 3 mijë tifozë kanë kaluar Londrën duke shkuar në “Wembley” për të ndjekur ekipin e zemrës dhe duke kënduar…
Një histori e ngjashme me atë të Beneventos në Itali, tifozët e të cilës, edhe pse me zero pikë në renditje dhe e fundit, pas 12 javësh, vazhdojnë ta ndjekin dhe në transfertën torineze në “Allianz Stadium”, përballë Juventusit, ishin thuajse 700.