Shqipëria e Alban Bushit ka bërë surprizën mbrëmjen e sotme. Të gjendur përballë Austrisë U-21, kryesuese e grupit, kuqezinjtë e vegjël treguan se janë një grup që mund të arrijnë shume, duke dhënë shpresë të madhe për të ardhmen. Kombëtarja U-21 ka dalë me 3 pikë nga kjo transfertë, teksa ka gjunjëzuar me shifrat 1-5 rivalët.
Një perlë e kapitenit Sherif Kallaku nga goditja e dënimit do të çelte serinë e golave. Më pas, po në pjesën e parë Vrioni tregon klasin e jashtëzakonshëm me një pasim fantastic që gjen Tucin të zbuluar në zonë, ku mashtron portierin kundërshtar dhe tund rrjetën e boshatisur.
Pjesa e dytë fliste përsëri për kuqezinjtë, ku Muçi i ardhur nga stoli realizon dopietë dhe shfaq gjithë potencialin e tij. E për të vulosur gjithçka mendon Selmani, i cili shfrytëzon centimetrat e tij për të shtyrë topin me kokë në portën austriake, duke bërë që skaudra e drejtuar nga Alban Bushi të dalë me krenari dhe me kokën lart nga kjo sfidë.
E në fund shihet qartë se prodhimi i Superiores vlen, pasi shumë prej lojtarëve janë pjesë e kampionatit shqiptar, ose kanë hedhur hapat e parë aty./Halit Delibashi-Sport Ekspres/