Premier League është kampionati më i fortë në botë dhe për fatin tonë të mirë, Shqipëria ka një yll të ri në elitën e futbollit anglez, Armando Broja. Një “legjendë” e mbetur nga e shkuara tregon se Seria A është shkolla e vërtetë e mbrojtjes dhe shquhet në këtë aspekt.
Por në kohën e tanishme, në elitën e futbollit italian shënohen më shumë gola se në të gjitha kampionatet e tjera elitare. Pra nëse nuk është për faj të mbrojtjes, është merita e sulmuesve? Faktet tregojnë të kundërtën me Imobilen që shkoi në Gjermani dhe Spanjë, ku nuk shënoi dot më tepër se 2 gola në sezon, për të mbretëruar sërish në Serinë A.
Apo për të vazhduar me emra të tjerë të sulmuesve që shënojnë pafundësisht gola në një sezon si Beloti apo Piatek, për të humbur tërësisht në sezonin e ardhshëm. Ndërkohë ndeshja e djeshme mes Interit dhe Liverpulit tregon shumë edhe për diferencën mes kampionateve. Ekipi kampion i Italisë u ndesh me skuadrën e Klopit. Në një moment, Lautaro Martinez që shquhet si një emër i madh në Serinë A hutohet tërësisht kur përpara tij ka Van Dijk.
Megjithëse ishte një situatë që sulmuesve “u qajnë sytë” për të hyrë në driblim dhe për t’u gjendur përpara portierit, Martinez duhej të tërhiqej. Pasi provon disa lëvizje me topin që nuk hipnotizojnë askënd përveç vetes, sulmuesi i Interit nuk gjen forcën e duhur për të tentuar driblimin ndaj mbrojtësit të Liverpulit duke u dorëzuar në një rast që duhej të ishte i artë për të shënuar ndaj anglezëve. /Sport Ekspres/