Nga Klaudio Ndreca
“Shumë respekte për Sadikun, Cikalleshin, Balajn. I kam parë gjithmonë këta sulmues dhe kanë kontribuar shumë për Shqipërinë. Por unë jam sulmues tjetër. Luaj më shpejt, futem nga pas mbrojtsave, shkoj me driblim deri në portë”. Kështu u shpreh Armando Broja në grumbullimin me Kombëtaren për t’ia bërë të qartë opinionit dhe tifozëve se është tërësisht një profil tjetër sulmuesi.
Megjithatë në dy takimet e para me Kombëtaren nuk arriti të shënonte, por sërish la gjurmë në fushën e lojës, për të treguar gjithë kualitetin e tij. E nëse pyesni veten për përshkrimin e sipëpërmendur dhe se çfarë është i aftë që të bëjë Armando Broja, një përgjigje e gjeni te goli i dytë ndaj Den Hages.
Sulmuesi shqiptar i bën të gjitha duke u futur bukur në krahë, duke vallëzuar me topin duke dribluar kundërshtarët dhe duke e dërguar sferën në cepin e rrjetës. Pra tërësisht i kompletuar si të ishte Kristiano Ronaldo, ndërsa në fund ulërin mes emocioneve. Ky ishte goli i dytë i Brojës në ndeshjen e sotme teksa falë dopietës së tij Viteshe po fiton në shifrat 0-2 kundër Den Hag. /Sport Ekspres/