Roma është e vetmja skuadër italiane që lufton në Europë. Verdhekuqtë bën një hap gjigand drejt kualifikimit në gjysmëfinale të Europa Ligës, ku mposhtën me rezultatin 1-2 Ajaksin. Edhe pse ishin hollandezët me Klaasen në minutën e 39-të që shënuan të parët, italianët arritën ta kthenin rezultatin në favorin e tyre me anë të Pelegrinit (57’) dhe Ibanez (87’).
Faktori kryesor në këtë ndeshje ishin gabimet e Ajaksit, të cilët ja dhuruan praktikisht fitoren Romës. Në minutën e 53-të, kur ndeshja ishte 1-0, Tadiç gabon nga pika e bardhë e penalltisë. Vetëm 4 minuta më vonë portieri i Ajaksit, Scherpen bën një gabim trashanik, pasi i shpëtoi topi nga dora pas një faulle të gjuajtur nga Pelegrini.
Portieri i Romës gjithashtu ishte një nga lojtarët më të mirë të sfidës së sotme. Lopez bëri disa pritje të rëndësishme, që ndikuan drejtpërdrejtë në rezultatin e takimit. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/