Berat Gjimshiti po mban një nivel të lartë prej disa vitesh te Atalanta. Historia e shqiptarit është frymëzim për shumë futbollistë. Kur shkoi te Atalanta, futbollisti shqiptar ishte jashtë planeve të klubit pasi nuk arriti të përmbush pritshmëritë. Pas disa huazimeve, Berati po bënte valixhen gati për t’u larguar. Por papritur një mbrojtës u dëmtua në stërvitje dhe duke parë kohën e pakët në merkato, Atalanta vazhdoi me Gjimshitin si një zgjedhje e detyruar. Pjesa tjetër është histori. Gjimshiti po luan për disa vite me radhë si titullar i padiskutueshëm dhe është një prej lojtarëve kryesorë te ekipi nga Bergamo.
Madje në finalen e fituar të Europa League ndaj Leverkuseni, trofeu u ngrit nga shqiptari me shiritin e kapitenit. Në këtë sezon ekipi i Gasperinit ndodhet në një formë fantastike, si në Serinë A ashtu edhe në Champions League. Në ndeshjen e fundit morën një fitore me shumë peshë në transfertë ndaj Shtutgartit, 0-1. Gjimshiti ka bërë një ndërhyrje brilante që vlen sa një gol i shënuar, duke hequr topin që me shumë mundësi do të shkonte në rrjetën e Atalantës. Futbollistët e skuadrës gjermane nuk po i besonin syve, ndërsa Atalanta e ka shpërndarë këtë moment duke treguar me krenari “murin shqiptar”. “I shënjti” Berat Gjimshiti, është gjithmonë aty për të bërë ndërhyrjen e fundit që rezulton shpëtimtare. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/