Pas zhgënjimit në Champions League, Tirana përjetoi një tjetër mbrëmje të hidhur në Europë. Bardheblutë morën sot humbjen e tretë radhazi në kompeticionet e UEFA-s. Festa në “Air Albania“ i takoi tifozëve boshnjakë, teksa Zrinjski fitoi minimalisht 0-1. Historia e ndeshjes u mbyll qysh në minutën e 12. Limaj tenton të largojë topin, por godet këmbët e kundërshtarit. Gjyqtari nuk e mendon dy herë dhe drejton dorën nga pika e bardhë e penalltisë. Pranë topit qendron kapiteni Bilbija, i cili nuk gabon dhe kalon në epërsi skuadrën e tij. Tirana përpiqet të ndryshojë fatin e takimit në minutat e mbetura, por pa sukses.
Sulmit bardheblu i mungon saktësia përpara porte. Pjesa e dytë nis vrullshëm për Tiranën, që kërkon golin me Seferin. Megjithatë me kalimin e minutave, loja sa vjen e balancohet. Ndeshja e kthimit luhet një javë më vonë në Mostar, ku do të përcaktohet përfundimisht se cili ekip do të kalojë në turin e tretë të Conference League-s. Me humbjen e sotme Tirana rrezikon eliminimin, pavarësisht se përgjatë 90 minutave mund të ndodhë gjithçka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/