90 minutat nuk mund të përcaktojnë dot fituesin e çiftit CFR Kluzh-Dinamo Zagreb. Ndeshja ka shkuar në shtesë, teksa shifrat shënojnë 2-2. Meritë këtu ka edhe sulmuesi shqiptar, Lirim Kastrati. Edhe pse e nisi nga stoli, talenti dardan e gjeti mënyrën për të lënë shenjën e tij në fushë.
Kur shifrat ishin 1-1 dhe kroatët numëronin 1 lojtar më pak, Kastrati dërgon topin në rrjetë. Shoku i tij i skuadrës godet fuqishëm drejt kuadratit, por topi devijohet nga portieri i skuadrës rumune. Në këtë situatë, Kastrati ka përfituar për të tundur lehtësisht rrjetën.
Një gol që në minutën e 78 vlente kualifikimin patjetër që duhej festuar. Por festa nuk përqendrohet te sulmuesi shqiptar, teksa skuadra vrapon drejt lojtarit që goditi topin e devijuar më pas nga portieri kundërshtar. Ndërkohë CFR Kluzh befason në minutën e 3-të të shtesës, duke barazuar shifrat. Megjithatë ai gol i Lirim Kastratit i mban ende në lojë kampionët e Kroacisë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/