Okzhetpes ka regjistruar një fitore të rëndësishme në shtëpi kundër Taraz, duke krijuar një distancë sigurie me zonën e ftohtë. Ky takim përfundoi me rezultatin 3-1 dhe Okzhetpes u ngjit në kuotën e 21 pikëve, falë 6 fitoreve dhe 3 barazimeve.
Protagonist në këtë sfidë ishte edhe sulmuesi brazilian Danilo Alvesh, i cili ka gjetur rrugën e rrjetës në minutën e 75-të. Në ato momente rezultati ishte 1-1 dhe ish-lojtari i Flamurtarit i hapi rrugë fitores së skuadrës së tij.
Në fakt është e çuditshme se si goli i është akorduar brazilianit, i cili gjuajti nga një pozicion i pafavorshëm dhe nuk është se kërkoi kuadratin. Një mbrojtës e devijoi topin, që shkoi drejt e në rrjetë. Gjithsesi goli i është akorduar Alveshit, i cili regjistron të katërtin sezonal në kampionat.