Megjithëse e programuar për të luajtur i fundit në arenën Europiane, Gjilani është e para skuadër që debuton këtë sezon në kualifikueset për Europa League, teksa Drita humbi në tavolinë ndërsa ndeshja e Prishtinës u shty. Ekipi i Gentian Mezanit do të vazhdojë më gjatë aventurën e tij në Europë, pasi ka kaluar me sukses pengesën e parë në San Marino.
Gjilani ka triumfuar me shifrat 1-3 kundër Tre Penes dhe shkon kështu në raundin pasardhës. Vendasit befasuan “skufterat” me golin e parë, por lojtarët e ekipit nga Kosova do të kundërpërgjigjeshin në mënyrën e duhur. Fillimisht Nikac gjen golin e barazimit pas një assist nga Progni. Ky i fundit do të shërbente sërish në golin e dytë për Hajdarin, që nuk do të gabonte të dyfishonte shifrat.
Vend në listën e golashënuesve pati edhe për ish-lojtarin që u shpall kampion me Partizanin, Hilën. Mesfushori u përfol se mund të ribashkohej me Gegën te Kukësi, por zgjodhi të vishte fanellën e Gjilanit, me të cilët shënon edhe golin e tij të parë. Kështu Gjilani rrëmben suksesin e parë në Europë, në një ndeshje ku pati 7 lojtarë që më parë kanë qenë pjesë e Superiores./Halit Delibashi-Sport Ekspres/