Milani e ka mbyllur në barazimin 1-1 ndaj Juventusit, në takimin e vlefshëm për Kupën e Italisë. Ashtu si edhe ndaj Interit, kuqezinjtë kanë qenë për shumë minuta në avantazh, por fundi është i njëjti, i trishtë. “Djalli” shfaqet në po të njëjtën mënyrë, duke mos “i pushtuar” ekipet e mëdha.
Rebiç kaloi në avantazh kuqezinjtë me një gol të bukur me pllakë në të 65-ën, ndërsa në minutën e 71, Hernandez ka marrë kartonin e dytë të verdhë, duke dalë nga fusha e lojës. E kur pritej që ndeshja të mbyllej në këto shifra, vjen realizimi i Ronaldos. Pas një penalltie të fituar nga vetë ai, falë ndërhyrjes së VAR-it, pavarësisht kontestimeve të shumta, ka arritur që të barazojë rezultatin. Ndërkohë gjysmëfinalja e kthimit do të vendos historinë e kualifikimit për këtë përballje në Kupën e Italisë. /Sport Ekspres/