Shqipëria do të luajë mbrëmjen e së hënës, duke nisur nga ora 21:00, ndeshjen e fundit në grupin B të Kampionatit Europian Gjermani 2024. Kuqezinjtë do të përballen me Spanjën në Dyzeldorf, atje ku do të vendoset nëse rrugëtimi do të ndërpritet këtu, apo nëse Shqipëria do të kualifikohet në 16 më të mirat e kompeticionit.
Tifozët shqiptarë nuk do ta ndalin mbështetjen e tyre të zjarrtë as kundër Spanjës. Pas atmosferës fantastike të krijuar në Dortmund dhe në Hamburg, tashmë radhën për t’u veshur me ngjyrat kuqezi e ka Dyzeldorfi. Tifozët e Shqipërisë kanë mbërritur në vendin ku do të luhet ndeshja 3 ditë përpara, duke nisur festën përpara kohe me koret e tyre në mbështetje të Kombëtares./Halit Delibashi-Sport Ekspres/