Ditë super për Feronikelin, që ka barazuar në Uells me TNS me rezultatin 2-2. Kualifikimi në raundin tjetër në Champions League është i hapur dhe skuadra nga Drenasi duhet të fitojë në Prishtinë, ose edhe të barazojë pa gola ose me një gol.
Ekipi i drejtuar nga Zekerija Ramadani kishte mundësitë e veta, por nuk ia doli të shënonte deri në minutën e 89-të. TNS ishin më konkretë, teksa goditjet në portë i kishin të sakta. Fragmenti i parë i lojës ishte mbyllur me rezultatin e bardhë 0-0.
Pjesa e dytë nisi me një penallti për skuadrën vendase, që u kthye në gol nga Draper. Gjuajtja në qendër e tij nuk u ndal dot nga portieri Denis Troshupa. TNS e pa veten në avantazh dhe kërkoi në vazhdim edhe golin e dytë, që e gjeti.
Eduards, pas një goditjeje këndi, në rrëmujë e devijon topin drejt e në rrjetë. 2-0 dhe u mendua se Feronikeli i humbi shpresat. Nuk ndodhi kështu, pasi Mevlan Zeka ishet ai që shënoi golin e shpresës, me një goditje perfekte me kokë.
2-1 dhe mrekullia ndodhi në minutën e tretë shtesë, kur një penallti u kthye në gol nga Astrit Fazliu. Barazim dhe një përgjigje për ata që kishin vënë flamurin serb në stadium, duke tentuar të provokojnë dardanët, që dalin kryelartë nga Uellsi.
CHAMPIONS LEAGUE, TURI PARË
E MARTË, MË 9 KORRIK, 20:00
The New Saints – Feronikeli 2-2
Shënues: Draper 49’ (pen.), Eduards 77’ / Zeka 89’, Fazliu 93’ (pen.)