Të gjithë kemi parë eliminimin e Laçit nga Hapoel Beer Sheva në minutat e fundit të takimit, atje ku ekipi shqiptar u ndëshkua me dy gola në minutat e fundit. Megjithatë dëshpërimi i ndierë nga kurbinasit është shumë pak me përjetimin e ndeshjes më të çmendur në këtë tur të dytë në “Europa League”.
Bëhet fjalë për përballjen mes ekipit Ararat Armenia dhe Fola, e cila kërkonte një punë të jashtëzakonshme për Jorgjin. Fillimisht arbitri shqiptar ndëshkoi në minutën e 39 dhe 43 dy herë me kartonë të verdhë lojtarin e skuadrës armene, Junior, i cili e la fushën e lojës përpara kohe.
Rezultati mbërriti në shifrat 1-3 në minutën e 81 dhe kur ndodheshin në fushë me një lojtar më tepër, ekipi i Luksemburgut e quajti si të mbyllur kualifikimin. Një tjetër detaj i veçantë vjen në minutën e 71 atje ku sulmuesi i Folas, Bensi, e dërgoi topin në rrjetë duke kërkuar të përsëriste “dorën e Zotit”, si dikur me Maradonën.
Megjithatë Jorgji arriti që ta vëzhgonte dhe të mos e quante këtë gol, duke e ndëshkuar edhe me karton të verdhë. E kur pritej mbyllja e ndeshjes vijnë edhe dy penallti në minutat shtesë që u akorduan në favor të ekipit armen. Të dyja do të gjenin rrjetën dhe për më tepër në krahun e Folës u ndëshkua me të kuq Pimentel për të kthyer baraspeshën edhe në numrin e lojtarëve. Në të tilla kushte ishte morali i lartë i vendasve që vendosi kthesën e madhe në minutën e 113 për t’i dërguar shifrat në 4-3. /Sport Ekspres/