Trajneri Sarri vendosi që më në fund të ndërrojë portierin e Lacios në Serinë A. Pepe Reina pësonte gol në çdo dy goditje drejt portës, megjithëse nuk u pa si arsye e mjaftueshme për tekniku e kryeqytetasve që ta ndërronte. Katër golat e pësuara ndaj Udinezes ishin shumë dhe ndaj Sampdorias, Sarri hodhi për herë të parë si titullar në Serinë A e këtij sezoni, Thomas Strakoshën.
Ky i fundit i përmbushi pritshmëritë dhe u tregua në lartësinë e duhur në atë fitore me shifrat 1-3. Në pjesën e parë Lacio arriti ta dominonte rivalin në çdo aspekt dhe po kryesonte me tre gola të shënuara. Sampdoria nuk kishte shkuar në asnjë rast në portën e Strakoshën. Pjesa e dytë ishte histori tjetër, teksa porta e mbrojtur nga Strakosha u kthye në tabelë qitje. Portieri shqiptar pësoi vetëm një gol në minutën e 89 pas gjuajtjes së befasishme dhe të fortë nga Gabiadini, por arriti që të shpëtonte tre raste duke treguar zotësinë e tij. /Sport Ekspres/