Futbolli në Amerikën e Jugut dihet se ka një ndryshim shumë të madh me në Europë. Përjetimi është shumë herë më i madh, por edhe në tribuna, ka një ndryshim që ia vlen të përmendet. Një shembull shumë i mirë për të kuptuar saktësisht se për çfarë bëhet fjalë vjen nga ndeshja Argjentinë-Kanada.
Teksa Argjentina arriti të fitonte me shifrat 2-0 dhe të kalonte në fazën finale të “Copa America”, temperaturat ishin ekstreme. Temperaturat arritën në 40 gradë dhe më shumë se të gjithë, këtë vapë të madhe e ndieu presidenti i Federatës së Futbollit të Argjentinës, Chiqui Tapia.
Ky i fundit arriti deri aty aq sa mori një person që t’i fshinte djersët gjatë gjithë kohës, teksa vetë ishte i përqendruar në maksimum se çfarë po ndodhte në ndeshjen kundër Kanadasë. Një “skllavërim i modernizuar”, teksa kjo video ka bërë një jehonë të madhe në rrjetet sociale.
Të shumta janë komentet që kritikojnë presidentin e Federatës së Futbollit të Argjentinës, që gjeti këtë lloj forme dhe mënyre, për të fshirë djersët. Por Tapia jo vetëm që nuk është penduar apo ndierë keq për këto pamje që bën xhiron e botës, por zgjodhi që të bënte batutë, me bindjen e tij të plotë dhe të pandryshuar se kishte bërë zgjedhjen e duhur. /Sport Ekspres/