Mbrëmjen e sotme janë zhvilluar gjysmëfinalet e dyta të Ligës së Konferencës, nga ku janë përcaktuar edhe finalistët që do të vijnë në Tiranë më 25 maj. Pas barazimit 1-1 në Angli, Roma ka mposhtur sot me rezultatin 1-0 Leiçesterin. Ishte goli i Tami Abrahamit në minutën e 11 ai që vendosi finalistin në “Olimpiko”. Murinjo merr biletën për në “Air Albania”, duke pasur mundësinë të hyjë në histori, për t’u bërë i pari trajner që fiton trofeun e Ligës së Konferencës.
Ndërkohë, surpriza ka ndodhur në Francë. Marseja është ndalur në barazim 0-0 nga Fejnordi, i cili pas fitores 3-2 në Hollandë, arrin të kualifikohet për në finale. Skuadra holandeze e nisi rrugëtimin e saj në këtë kometicion nga Kosova, ku u përball me ekipin e Dritës, ndërsa tashmë do ta përfundojë në Tiranë, ku më 25 maj do të sfidojë Romën në “Air Albania”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/