Ua kishim thënë edhe më përpara, Armando Broja këtë herë është rikthyer vërtet, si në kohën e magjishme kur ishte pjesë e Southampton. Sulmuesi shqiptar ka treguar edhe njëherë tjetër se përse është lojtari më i mirë që ka Shqipëria në gjirin e saj, për të mos thënë i historisë. Një lojtar që është pjesë e Premier League, kampionatit më të fortë në botë dhe duhet të kthehemi shumë pas në kohë për të parë një tjetër lojtar të Shqipërisë që ka luajtur në elitën e Anglisë, Lorik Cana.
Madje edhe Loriku nuk e mbajti gjatë kohën e tij në Premier League. Evertoni ka arritur të ndalë tre ekipe të mëdha radhazi në ndeshjet e fundit, megjithëse Manchester City nuk po kalon kohë të mirë. Në fillim Evertoni ndaloi dy nga tre vendet e para, Arsenalin dhe Chelsea-n, më pas i dha një goditje të madhe edhe Manchester City.
Ekipi i Pep Guardiolës ishte i destinuar për të fituar në shtëpi, por në fund barazoi vetëm 1-1 kundër Everton. Trajneri i Everton nuk donte të bënte eksperimente në këtë takim kundër Pep Guardiolës dhe i besoi sërish në sulm Calëert Leëin i cili ka 13 ndeshje pa shënuar gol. Në minutën e 70, Broja hyri në fushë dhe Calëert Leëin nuk ishte aspak i kënaqur.
Në fillim Broja nuk kishte shumë kontakte me topin, por në ato momente kur e prekte sferën pasi Manceshter City po kërkonte golin e fitores, ishte gjithmonë fitimtar në duele. Për të ardhur në 6 minutat e shtesës atje ku shqiptari bëri lëmsh gjithë mbrojtjen e Pep Guardiolës.
Në minutën e 93 pasi i shmanget bukur kundërshtarit, Armando Broja jep një pasim brilant për shokun e ekipit. Një pasim për t’u vlerësuar pasi nga fusha e Everton me një hapje të bukur topi e nxorri shokun e skuadrës në një moment të rrezikshëm që kalonte në fushën e Manchester City.
Për të mbërritur te minuta e 94, e cila është bërë edhe lajm botëror. Armando Broja trullosi totalisht Phil Foden me një lëvizje të bukur me trup, ndërsa ylli i Manchester City duhej vetëm që të rrotullohej pas Armando Brojës. Duke e parë që nuk kishte mënyrë tjetër për ta ndalur, Foden i hoqi tutat Brojës teksa po varej te shqiptari, me Brojën që për një moment doli me mbathje.
Kjo është publikuar nga të gjitha mediat botërore që e shoqërojnë me një përshkrim komik, por tregon shumë për cilësitë e Brojës, si mënyra e vetme për t’u ndalur. Një tjetër moment brilant dhe më vendimtar i ndeshjes ishte në minutën e 95. Broja nxori një aksion nga hiçi teksa sërish mori një top nga mbrojtja e Everton, kaloi dhe vrapoi i vetëm për të dalë në zonën e rreptësisë të Manchester City.
Një kundërsulm i sajuar nga Armando Broja totalisht, nga aftësitë e tij, që e nxori Evertonin në kundërsulmin 4 kundër 2. Më pas Broja bëri zgjidhjen më të thjeshtë duke pasuar te Harrison, një lojtar që po kritikohet shumë te Everton për gabimet e tij dhe rastet e pafundme të shpërdoruara. Pavarësisht se Harrison duhej të pasonte te Broja dhe shqiptari po e tregonte edhe me duar se ku duhej ta dërgonte topin për t’i dhënë Manchester City goditjen finale, Harrison goditi vet drejt portës dhe humbi rastin e artë për të përmbysur ndeshjen në fund. Këto ishin disa nga momentet më vendimtare që tregojnë qartazi se Broja është rikthyer në super nivel. /Sport Ekspres/