Nëse ka një leksion për të marrë, gjithmonë duhet të jemi në rreshtin e parë për të dëgjuar me vëmendje. E kur vjen nga personat e fundit që duhet ta japin, është e dhimbshme, por sërish duhet të mësojmë dhe të reflektojmë. Në ndeshjen e Conference League mes Tre Pennes dhe Tuzlas është dhënë një penallti qesharake, aq sa edhe komentatori italian i takimit ka qeshur. Bëhet fjalë për një përballje mes skuadrës së San Marinos dhe asaj boshnjake. Vendasit janë dënuar me pa të drejtë me 11-metërsh teksa lojtari i tyre heq topin, por arbitri bie pre e aktrimit të lojtarit të Tuzlas.
Pas protestave të arbitrit, në fund portieri i Tre Pennes arriti që të evitojë golin me pritjen e tij. Menjëherë futbollistët shkojnë që të përgëzojnë portierin dhe japin ulërimën e çlirimit. Shumë më ndryshe nga skenat që kemi parë në Superiore, ku në rastet e ngjashme, portieri është i pari që së bashku me shokët e ekipit shkojnë sërish te arbitri për t’i treguar se penalltia ishte aq e padrejtë, sa edhe fati nuk donte që topi të hynte në rrjetë. Pak leksion nga San Marino, nuk është keq… /Sport Ekspres/