VIDEO/ E detyron Sindrit Guri, arbitri e bën emocionuese: Tregon të verdhin, për të nxjerrë të kuqin

Ostende është duke luajtur ndaj Charleoit në javën e 12 të kampionatit belg. Këtë herë Sindri Guri jo vetëm që është rikthyer te 18-shja e grumbulluar, por i është besuar edhe nga minuta e parë e takimit. Sulmuesi shqiptar u la jashtë ekipit në ndeshjen e fundit ndaj Zulte Waregem dhe kjo për vendimin e trajnerit.

Gjithsesi, Guri gjendet në fushë tashmë dhe duke kërkuar golin, megjithëse pjesa e parë është mbyllur 0-0. Por një shenjë ka arritur që ta lërë edhe ky futbollist në këto 45 minuta të para. Pasi i rrëmbeu një top Diagne dhe po nisej të vraponte i vetëm drejt zonës kundërshtare, lojtari i Charleoit e ndaloi topin me dorë.

Fillimisht gjyqtari i takimit e ndëshkoi me të verdhë, por VAR ndërhyri në këtë rast. Pasi arbitri e konfirmoi dhe pa me vëmendje gjithë situatën, e ka ndryshuar vendimin. Megjithëse mënyra sesi e dha, ishte për ta bërë paksa emocionuese.

Në fillim i nxorri kartonin e verdhë Diagnes, për të krijuar përshtypjen për pak sekonda se do të ishte i njëjti dënim. Por menjëherë bëri me gishtin mohues se nuk do të akordohej ky ndëshkim, duke nxjerrë kartonin e kuq. /Sport Ekspres/