Messi ndodhet prej dhjetë ditësh në Argjentinë pas përfundimit të Kupës së Botës, ku më në fund u solli titullin kampion bote pas 36 vitesh. Pas një feste të madhe dhe mirëseardhjeje në Buenos Aires, ky 35-vjeçar është rikthyer në vendlindjen e tij në Rosario, ku dëshiron të kalojë festat me familjen e tij dhe më pas do të kthehet në Paris.
Messi u prit para shtëpisë së tij në Rosario nga disa mijëra tifozë të cilët e përshëndetën në mënyrë euforike dhe skena të tilla tregojnë më së miri se sa fanatikë janë tifozët në Amerikën e Jugut për sa i përket futbollit.
Është e sigurt se Messi shpresonte të pushonte mirë dhe të mbushte bateritë para vazhdimit të sezonit me PSG-në, por mbrëmë nuk e pati situatën më komode kur vendosi të largohej nga shtëpia. Mediat argjentinase shkruajnë se Messi ka shkuar në festën e ditëlindjes së mbesës së tij me familjen, por kaos total ka ndodhur kur tifozët kanë parë makinën e tij në rrugë.
Ata e rrethuan menjëherë Messin dhe filluan të brohorasin, gjë që në fillim e gëzoi, por pasi turma bëhej gjithnjë e më e madhe, Messi nervozohej gjithnjë e më shumë. Ai nuk mund ta lëvizte fare makinën, edhe pse bashkë me bashkëshorten Antonella iu lutën tifozëve të lëviznin që të kalonin, tifozët nuk e dëgjuan.
Mediat në Argjentinë thonë se Messi mbrëmë ka parë atë që e pret deri në fund të jetës në këtë vend ku fitoi statusin e një hyjnie mes tifozëve pas fitimit të Kupës së Botës. Madje, disa prej tyre bënë të ditur se Messi mbrëmë e kuptoi se jeta në Rosario apo kudo në Argjentinë është e pamundur për të kur të lërë futbollin. /Sport Ekspres/
Lionel Messi and his family in Rosario surrounded by fans. pic.twitter.com/KeTJi2emFk
— Roy Nemer (@RoyNemer) December 28, 2022