Dinamo është një nga klubet me më tepër histori në futbollin shqiptar, por që fatkeqësisht vitet e fundit po vuan shumë. Momentalisht luan në Kategorinë e Parë, qendrimin në të cilën ende nuk e ka të sigurt, teksa është në luftë për mbijetesë. Megjithatë dinamovitët kanë hedhur sytë nga e shkuara e tyre e mbushur me shkëlqim, duke u servirur me krenari tifozëve të tyre një nga fitoret më të bukura të arritura. Bëhet fjalë për sezonin 2010/2011, ku Dinamo mposhti Vllazninë me shifrat 0-4 në transfertën e Shkodrës.
Përpara një “Loro Boriçi” të tejmbushur, kryeqytetasit nuk u kursyen me golat, madje shënuar 3 të tillë që në 10 minutat e para të ndeshjes, duke e mbyllur kështu takimin pa nisur ende mirë. Një herë Elis Bakaj dhe 3 herë të tjera do të ishte Martinena që do të tundnin rrjetën kundërshtare. Një lojë e tillë do të sillte edhe një batutë të mbajtur mend gjatë: “Paska ardhur Reali i Madridit në Shkodër”, të cilën dinamovitët e kanë rikthyer sërish në kujtesë së bashku me momentet më të bukura të asaj përballjeje me anë të një postimi në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”. Patjetër që fanellat e bardha dhe loja e bukur me plot raste e 4 gola të shënuar sollën një konfuzion të tillë për shkodranët, të cilët njihen për qytetarinë e tyre dhe që gjithnjë dinë t’i japin meritat kundërshtarit./Sport Ekspres/