VIDEO/ Çekia i jep makthe Santosit në debutim, Polonia dështon përpara sfidës ndaj Shqipërisë

Pritej të ishte ekipi më i fortë i grupit, por fusha tregoi se jo gjithmonë fiton ai që është favorit në letra. Polonia lë për të dëshiruar në ndeshjen hapëse të kualifikueseve për Euro 2024. Çekia i jep makthe Fernando Santosit në debutimin e tij në stolin e polakëve. Vetëm pak sekonda lojë dhe çekët tundën rrjetën me anë të Krejci-t. Pa marrë ende veten nga ky gol i herët, Cvancara i shënon sërish polakëve vetëm dy minuta më vonë. Kombëtarja e Polonisë ka marrë zotërimin e topit në pjesën e parë, por pa mundur të shtyjë topin në rrjetë.

Kur të gjithë prisnin që bardhekuqtë të rihapnin lojën në pjesën e dytë, ndodh e kundërta. Çekia i çon në shifrat 3-0, teksa Kuchta shkund rrjetën në minutën e 64-t. Reagimi i polakëve vjen shumë vonë. Szymanski shënon në minutën e 87, por goli i tij vlen vetëm për statistikë. Çekia nuk e pati të vështirë të fitonte as pa lojtarin e saj kryesor, Schick-un, ndërsa Polonia duhet të mbledhë forcat në pak ditë për t’u përballur me Shqipërinë në Varshavë më 27 mars./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *