Valon Et’hemi ka përjetuar një tjetër mbrëmje me emocione të forta me fanellën e Istanbulsporit. Ish-futbollisti i Kukësit ka shkuar në kuotën e 12 golave në elitën e futbollit turk. Sulmuesi shqiptar ka tundur dy herë rrjetën e Fenerbahçes në ndeshjen që përfundoi me shifrat e barabarta 3-3.
Fenerbahçe ishte duke udhëhequr 2-0 deri në minutën e 57, kur Valon Et’hemi shkon pranë pikës së bardhë të penalltisë dhe e dërgon topin në rrjetë. Vetën 9 minuta më vonë, ishte përsëri sulmuesi nga Maqedonia e Veriut që shënon në portën e Fenerbahçes. Këtë herë një ndihmë i ka ardhur nga Eduart Rroca, i cili jep një asist perfekt për Et’hemin dhe ky i fundit e dërgon në rrjetë.
Fenerbaçe gjen përsëri avantazhin në minutën e 71-të, por Eze vulosi shifrat në 3-3 në minutën e 96 të sfidës. Një pikë mjaft me vlera kjo për Istanbulsporin, që i ndal hovin e fitoreve “nëndetëses verdheblu”, e cila këtë sezon po garon për titullin kampion me Gallatasarain./Halit Delibashi-Sport Ekspres/