Ernest Muçi ka qenë padyshim zbulimi më i bukur i këtij sezoni në Superiore. megjithëse është aktivizuar pak herë, talenti bardheblu ka lënë gjurmët e tij me golat e shënuar. Ndaj Dinamos së Tbilisit mbajti peshën e sulmit dhe po një të njëtën gjë pritet ta bëjë edhe sot, por me një motivim shtesë. Përpos faktit se përballë gjendet skuadra e Zvezdës, një arsye më tepër për të shënuar është edhe fakti se në “Air Albania” do të ketë edhe vëzhgues për të.
“ABC News” bën me dije se skautë të klubit të Ibrahimoviç, Hamarby, do të ndjekin nga afër Ernest Muçin. Akordi me Tiranën është arritur dhe 300 mijë euro pritet të shkojnë në arkat e 25 herë kampionëve të Shqipërisë nëse gjithçka zyrtarizohet. Gjithashtu bardheblutë mund të përfitojnë një shumë edhe më të madhe në formë bonusesh, ose të ruajnë një përqindje të kartonit të lojtarit./Halit Delibashi-Sport Ekspres/