Rej Manaj kthehet te Shqipëria U-21 dhe ka një rast të artë për t’i treguar trajnerit Kristian Panuçi sa vlen, në pritje që të gjejë një klub ku tw luajë rregullisht, sepse aventura e tij të Granada ka qenë dështim total.
Sulmuesi i Interit flet në prag të sfidës kundër Sllovakisë, për kualifikueset e Europianit: “Ndjej përgjegjësi në ekip, jemi të stimuluar për të dhënë maksimumin. Po përqëndrohemi për të qenë gati për ndeshjen, e cila ka një specifikë të veçantë sepse kemi një sfidë zyrtare eleminatore të rëndësishme. Po punojmë shumë dhe do të futemi në fushë vetëm për ta fituar këtë ndeshje. Isha ftuar që në fillim nga Shqipëria U-21 dhe kam pranuar me kënaqësi ftesën”.
Nga ana tjetër, portieri i Vllaznisë, Alen Sherri beson se skuadra do t’ia dalë me sukses në këtë përballje: “Jemi të fokusuar dhe po punojmë fort duke u stërvit dy herë në ditë për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Jemi optimistë për të arritur rezultate positive, pasi ata nuk kanë më shumë se sa ne. Vlerësojmë shumë kundërshtarin, pasi janë një grup që luajnë bashkë prej kohësh, por ne do angazhohemi shumë në mënyrë që t’ia dalim.”- përfundoi 20-vjeçari, portier i ekipit kombëtar U-21. Kombëtarja U-21 do të luajë më 23 mars, të premten në stadiumin “Selman Stërmasi” ndaj Sllovakisë në kuadër të fazës eliminatore të kampionatit Evopian të moshave.