Vetëm Pele ka bërë më mirë, Mbape: Është një nder!

Një penallti e fituar dhe dy gola të shënuar. Kilian Mbape ishte protagonisti absolut në fitoren e Francës, që eliminoi Argjentinën nga Botërori 2018, pas duelit spektakolar të përfunduar 4-3 për “blutë”. Në moshën 19 vjeç e 192 ditë, sulmuesi francez vendosi një rekord të vogël. Kilian Mbape është lojtari i dytë më i ri në histori që shënon dy herë në ndeshjet me eliminim direkt të turneut.

Cili është në vendin e parë? Legjenda braziliane Pele, që e realizoi diçka të tillë kur ishte vetëm 17-vjeçar, në Botërorin e vitit 1958. Në atë edicion, Pele shënoi tre gola në gjysmëfinale, pikërisht përballë Francës dhe dy gola në finale ndaj Suedisë. Krahasimi me legjendën braziliane natyrisht që e kënaq Mbape, që pas ndeshjes u shpreh: “Jam shumë i lumtur. Është një nder të renditesh pas Pele. Ai ishte lojtar i një kategorie krejt tjetër”.

Për koeçidencë, Kilian Mbape ka lindur në vitin 1998, periudhë kur Franca fitoi trofeun e vetëm të Kupës së Botës. Një sukses që “gjelat” synojnë të përsëritet edhe pas dy dekadave. “Unë sapo kisha lindur, ndërsa njerëzit e mbajnë mirë mënd atë triumf. Ishte një ngjarje që shënoi historinë e Francës. Ne tashmë po përpiqemi të japim më të mirën dhe të tregojmë cilësitë tona. Nuk ka vend më të mirë se Kupa e Botës për ta bërë”, deklaroi Mbape.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *