Vetëm një mungesë në radhët e kuqezinjëve, shihni gjendjen e Shqipërisë U-17 para finales së madhe me Uellsin

Kombëtarja shqiptare U-17 ka mbyllur sot përgatitjet për ndeshjen e tretë dhe të fundit ndaj Uellsit, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2023. Kjo është edhe përballja më e rëndësishme e kuqezinjve, të cilët në rast se fitojnë do të kualifikoheshin në ‘Elite Round’.

Këtë të martë, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku zhvilluan seancën e fundit stërvitore në Kroaci, ku po luhen ndeshjet e kësaj grupmoshe. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se gjendja e ekipit kuqezi është e mirë, pavarësisht ngarkesës muskulare që vjen për shkak të dy ndeshjeve të zhvilluara në harkun kohor të tre ditëve. Gjithashtu, në këtë sfidë të fundit, trajneri Bulku nuk do të ketë në dispozicion Egert Selmanin, për shkak të kartonave të verdhë që mbrojtësi ka marrë në ndeshjet ndaj Suedisë dhe Kroacisë.

Aktualisht, Shqipëria është në kuotën e tre pikëve, në vendin e tretë në grup, po aq sa Kroacia e vendit të dytë, ndërsa Uellsi renditet në vendin e parë në grup me katër pikë. Përqëndrimi i ekipit kuqezi është maksimal, qoftë nga ana e lojtarëve, por edhe e stafit për ta përgatitur sa më mirë këtë sfidë. Në përballjen e dytë ndaj Kroacisë, trajneri Bulku bëri një ndryshim në formacionin titullar, ndryshe nga 11-shja që sfidoi Suedinë, me Dean Vraniçin dhe Davide Avdullarin që e nisën nga stoli.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *