Zgjedhja e Kombëtares vitet e fundit është kthyer në çështje interesash personalë më tepër se sa dëshira për të përfaqësuar atdheun në arenën ndërkombëtare. Një fenomen i tillë po ndihet gjithmonë e më tepër edhe me futbollistët shqiptarë, të cilët presin fillimisht ftesat nga Kombëtare më të mëdha si Zvicra, Gjermania, Suedia etj. përpara se t’i thonë “po” Shqipërisë ose Kosovës. Trajneri i njohur shqiptar, Bylbyl Sokoli, ka shpërndarë një postim në llogarinë e tij në “Facebook”, ku i bën thirrje lojtarëve të përfaqësojnë vetëm shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. Largimi për në Kombëtare të tjera, tregon sipas tij se sa të ndarë jemi si komb.
“1. Ndoshta i vetmi vend në botë ku futbollistët shqiptarë zgjedhin të luajnë për shumë shtete. Përpos dy shteteve shqiptare, Shqipëri dhe Kosovë, luajnë edhe per shtete tjera si Maqedonia e Veriut, Zvicra, Suedia, Norvegjia, Gjermania. Kjo tregon (në aspektin politik çështjen e pazgjedhur shqiptare) sa të ndarë jemi.
2. Obligimi Kombëtar i sportistëve është të prezantojnë vendin apo kombin që i takojnë… Që do të thotë, ata vendosin në sajë të regullave se cilin shtet shqiptar do ta prezantojnë (Shqiperinë ose Kosovën).
3. Në shumicën e rasteve menaxherët janë ata që vendosin se cilin vend do ta përfaqësojë sportisti i tyre që e përfaqësojnë. Menaxherët kanë interesin e tyre dhe shpesh vendosin që sportisti i “tyre” të luajë për shtetin që është më mirë i ranguar në ranglistat e FIFA-s dhe UEFA-s. Shumë shpesh gabojnë dhe sportistit i mohohet e drejta për të mbrojtur ngjyrat e kombit që i takojnë.
4. Sportisti duhet të vendosi vetë në kuadër të akteve normative se cilin shtet do ta prezentojë në këtë moment, Shqipërinë ose Kosovën. Asesi nuk duhet të mendojë të përfaësojë ndonjë shtet tjetër, vetëm në raste kur nuk është i ftuar nga Shqipëria dhe Kosova. Kështu do të jetë deri sa jemi të ndarë. Atëherë (unë besoj së shpejti) kur të kemi një shtet, një Kombëtare, të gjitha këto probleme do të zhduken dhe ne do të jemi prezent në çdo eveniment europian dhe botëror në futboll”, ka shkruar Bylbyl Sokoli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/