Vera e ftohtë e kuqezinjve, sa shumë lojtarë në “rrugë”!

Është një moment delikat për kombëtaren shqiptare, që në ndeshjet e fundit ka qenë një katastrofë totale, por kjo vjen edhe për faktin se jemi në një periudhë shumë të keqe për shumicën e futbollistëve tanë. Realiteti është se nuk e kemi më grupin e shkëlqyer që kishim para pak vitesh dhe prurjet në kombëtare janë të pakta, ndërsa të rinjtë e kanë të vështirë të bëhen menjëherë të rëndësishëm, në një ekip ku mungon shtylla kurrizore dhe nuk kemi më liderë, me trajnerin Panuçi që është ftohur me lojtarë si Mavraj, Roshi e disa të tjerë.

Kjo verë do të tregojë qartë sa shumë probleme kemi me lojtarët tanë, sepse shumica e lojtarëve veteranë në kombëtare janë në krizë për të ardhmen. Përjashtim bëjnë portierët, mbrojtësit Hysaj e Veseli e deri diku Gjimshiti, ndërsa emrat e tjerë që janë pjesë e kombëtares prej kohësh janë ende në ajër.

MAVRAJ – Më 9 qershor do të mbushë 32 vjeç, është në një moment të keq me kombëtaren, ku nuk është se shihet me sy të mirë nga Panuçi, ndërsa tek Hamburgu nuk e di askush të ardhmen. Oferta nuk është se ka me shumicë, mosha bën të vetën.

AJETI – Vetëm fakti që është 24 vjeç e favorizon, sepse gjithçka tjetër po i shkon ters. 15 ndeshje si titullar te Krotone këtë sezon, me të në formacion Krotone humbi çdo ndeshje që luajti në vitin 2018 dhe pas mesit të muajit prill nuk e pa më formacionin. Tani kthehet te Torino, por ka shumë pak shanse të qëndrojë.

ROSHI E BALAJ – Panuçi ia ka nxirë jetën, në stol gjithnjë pas pjesës së parë, por edhe Roshi nuk është se po mahnit. Këtë sezon ka luajtur vetëm 13 ndeshje nga fillimi tek Ahmati, ku nuk duket i paprekshëm dhe sezonin e ardhshëm ndoshta do të ndryshojë ekip. Diskutim identik për Balajn, që ka justifikimin e një dëmtimi të rëndë, por ndërkohë ka humbur shumë terren tek Ahmati.

CIKALLESHI – Osmanlispori ra nga kategoria dhe është një goditje shumë e rëndë për sulmuesin tonë. Kur luan, jep gjithnjë 100%, por i duhet besim dhe këtë sezon ka pasur luhatje në aktivizim, për dëmtime e probleme të tjera. E kërkojnë në Superligën turke, por duket se me Panuçin është ftohur prej kohësh, pa ardhur mirë Panuçi.

BASHA – Mesfushori ka luajtur rregullisht dhe ka qenë në formë të shkëlqyer, por e ka mbyllur me Barin, pasi i mbaron kontrata dhe nuk i është ofruar rinovim, në një sezon të mbyllur me dështim, në fushë dhe në aspektin administrativ, me penalizimin prej 2 pikësh në renditje për mospagesa taksash. E ardhmja? Mister.

MEMUSHAJ – Mesfushori ka qenë gjithnjë një lojtar që i jepte cilësi mesfushës sonë të varfër në këtë drejtim. Megjithatë, tashmë edhe vlonjati është në krizë, sepse nuk luan prej muajit mars për dëmtim dhe nuk dihet ku do të luajë sezonin e ardhshëm, pasi edhe mosha 31-vjeçare tremb shumë klube.

XHAKA E ABRASHI – Këta të dy janë lojtarë kyçë për Shqipërinë, më mirë nuk gjejmë dot dhe na duhen si uji në shkretëtirë, shihni miqësoret e fundit. Megjithatë, për të dy situata është identike: dëmtim i rëndë dhe telash i madh për Shqipërinë. Xhaka është lojtar kyç te Bazeli, por është dëmtuar që në fillim të prillit dhe kthimi parashikohet për në vjeshtë, ndaj nuk do të luajë në ndeshjet e shtatorit me shumë gjasa. Edhe më i pafat Abrashi, që është dëmtuar që në mars dhe nuk dihet kur do të kthehet në formë optimale, duke i prishur shumë punë Shqipërisë, por edhe Frajburgut.

KAÇE – Shkoi te Panathinaikosi, luajti, nuk është se ndryshoi botën, pasi dihen hallet e klubit gjigant grek. Edhe e ardhmja e tij është në ajër, pasi nuk dihet ende nëse më në fund do të stabilizohet, duke menduar vetëm të luajë futboll.

KUKELI – Është 34 vjeç, nuk luan prej muajit shkurt, me shumë gjasa e ka mbyllur me kombëtaren shqiptare. Nëse është kështu, duhet menduar për një lamtumirë dinjitoze, sepse na ka dhënë shumë.

HYKA – Nëse vazhdon në Amerikë, me kombëtaren ka pak shanse të luajë. Nëse vazhdon të luajë me pikatore, si këtë fillim sezoni, është jashtë loje krejtësisht.

SADIKU – E kemi yllin e sulmit, por realisht sezoni i fundit i tij ishte një makth. Kalimi te Legia ishte një zgjedhje e gabuar për shumë arsye, ndërsa transferimi te Levante ishte pa kuptim, sepse e prisnin të gjithë që të luante shumë pak. Nuk dihet ç’do të bëjë sezonin e ardhshëm, por një sezon tjetër në stol në Valencia është një makth edhe për Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online