Bayern Munich ka nënshkruar kontratë me Desire Segbe. Sipas mediave, gjigandët gjermanë e sollën në rezervat e tyre vetëm sepse Segbe është miku i ngushtë i Sadio Mane. Kontrata e firmosur është dy vjeçare, por qëllimi nuk është që 29-vjeçari të luajë me ekipin e parë, pasi do të jetë pjesë vetëm e rezervave.
“RMC Sport” shkruan se Segbe i detyrohet këtij nënshkrimi të ri vetëm Manes, për shkakun e njohjes së tyre të ngushtë. Nga ana tjetër nuk mungojnë zërat se Bayern ka vepruar në këtë mënyrë që të ndihmojë Mane për t’u përshtatur në këtë mjedis të ri.
Të dy lojtarët e njohin njëri-tjetrin prej vitesh, që nga koha e “Generation Foot Academy” në Senegal. Kjo nuk është hera e parë që ata i bashkohen të njëjtit klub. Kur Mane u bë lojtar i FC Metz në 2011, shoku i tij u bashkua me rezervat e klubit francez.
Ndërkombëtari i Beninit më vonë vizitoi shumë klube. Ai ka qenë në Jeunesse Esch nga Luksemburgu, Le Puy Foot në Francë, AS Pagny, SAS Epinal, FC Villefranche dhe USL Dunkerque, Sllovake Senica, Oldham në Angli dhe te Dinamo e Bukureshtit në Rumani. /Sport Ekspres/