Trajneri i Italisë, Xhiampiero Ventura, nuk e ka duruar dot humbjen me Suedinë, duke e ditur që nuk kishte edhe aq diferenca ndërmjet skuadrave. Të paktën, sipas tij. Ai i ka mëshuar shumë gabimit të gjyqtarit si ndikues në fatin e ndeshjes, duke këmbëngulur që djemtë e tij nuk luajtën aspak keq.
“Kjo ishte një humbje e pamerituar, duke marrë parasysh atë që ndodhi në fushën e lojës. Meritonim të paktën një barazim. Suedezët në 90 minuta kanë bërë vetëm një gjuajtje në portë dhe ne kemi krijuar plot raste, duke goditur edhe shtyllën, madje. Mendoj se gjyqtari ka ndikuar me mënyrën se si e menaxhoi takimin”, – ka mbrojtur veten tekniku i përfaqësueses italiane, duke u paraprirë kritikave pafund që mori pak minuta pas humbjes.
Shpresat
E gjithë Italia po priste për një rezultat pozitiv ndaj Suedisë, sepse kombëtarja axurre ka një përvojë shumë herë më të madhe se veriorët, por ja që nuk ndodhi kështu. Ventura ka shpresa për ndeshjen e ardhshme dhe pret që gjërat të ndryshojnë. Duke shtuar edhe disa fjalë si komente të tij për takimin e djeshëm, ai pranuar se gjyqtari nuk duhet të jetë një justifikim. “Shpresoj që në ndeshjen e kthimit të na lejojnë edhe neve të bëjmë atë që kanë bërë rivalët tanë. Në një ndeshje kaq të rëndësishme duhej më shumë kujdes, kështu që gjyqtari nuk është një justifikim. Të hënën, në stadiumin tonë duhet të jemi ne protagonistët dhe kërkoj mbështetjen e të gjithë tifozëve pa kushte”.
Vlerësimi
Në fund, dy fjalë objektive për Italinë e tij. “Na akuzojnë shumë, por na ndjekin pak. Sikur tifozët t’i kushtonin më shumë vëmendje skuadrës së tyre përfaqësuese, do të ishte më mirë. Ne kemi ndryshuar shumë. Kemi vuajtur disa probleme dhe i kemi kaluar. Djemtë më pëlqyen, por kam disa rezerva për mesfushën. Nuk e prisja kaq të vështirë ndeshjen. Me formacionin nuk jam nxituar. E gjitha ishte duke marrë parasysh kushtet konkrete para takimit”, – ka përfunduar Ventura.